AlbanianSport.com 07.12.2016 17:05
ASNN – Përfaqësuesja e Shqipërisë dhe e Kosovës në basketboll për meshkuj këtë fundjavë do të mësojnë grupin dhe ekipet kundërshtare për turin eliminator të Kampionatit Botëror “Kinë 2019”.
Të shtunën e 10 dhjetorit, në kryeqytetin e Republikës Çeke, në Pragë, do të hidhet shorti për turin eliminator, në të cilat do të marrin pjesë skuadrat nga Evropa që nuk arritën të kualifikoheshin për në “Eurobasket 2017”.
Në rikthimin e saj pas disa vitesh mungesë, Kombëtarja kuqezi e mbylli në vendin e fundit në grupin e saj të Eliminatoreve, ku u përball me Malin e Zi, Gjeorgjinë dhe Sllovakinë, duke marrë vetëm një fitore ndaj kësaj të fundit në Tiranë.
Edhe përfaqësuesja e Kosovës, që mori pjesë për herë të parë në Eliminatoret e “Eurobasket 2017” përfundoi e fundit në Grupin E, me gjashtë humbje në po aq ndeshje të zhvilluara.
Më 10 dhjetor 2016 në Pragë do të hidhet edhe shorti i Kampionateve Evropiane të grupmoshave të Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve, djem dhe vajza, Divizioni A, B dhe C, e Shqipëria do të marrë pjesë.
Madje është kërkuar që, një nga këto veprimtari të zhvillohet në vendin tonë, të paktën sipas premtimeve të disa muajve më parë të presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
Por gjithçka është në vartësi të përfundimit të Sallës së re Sportive në ish-kompleksin “Dinamo”, si pjesë tanimë e Parkut Olimpik të Tiranës, si dhe kohës kur do të nisë rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.