Gjergj Vyshka 07.08.2016 11:40
Shqipëria e Nën-16-vjeçareve në basketboll për vajza ka vijuar paraqitjen e saj në Kampionatin Evropian të kësaj moshe, Divizioni B, teksa është mundur me 69 pikë nga Luksemburgu.
Një ndeshje që nuk ka nevojë për koment, atje ku nga 9 lojtare të aktivizuara nga Valbona Sako, ndërkohë që tre të tjera s’kanë luajtur asnjë minutë, vetëm 4 basketbolliste kanë shënuar në koshin e Luksemburgut.
Që do të thotë një skuadër krejtësisht pa nivel, pa thënë amator. Përfundimet e katër pjesëve të lojës flasin vetë, ndërsa Luksemburgu, një shtet më i vogël se sa ne, vijon të na dominojë edhe në basketboll.
7-27 është pjesa e parë, 8-22 e dyta dhe në pushim Shqipëria është në një disavantazh prej 34 pikësh, 15-49. As pushimi i ndeshjes nuk i jep frymëmarrje ekipit. 4-26 e treta dhe 19-75.
E katërta 7-20 dhe në përfundim 26-95. Sot përballë Greqisë, por duket se përfundimi dihet ende pa nisur gara.
Shqipëri – Luksemburg 26-95
(7-27, 8-22, 4-26, 7-20)
Shqipëria: Rreshpja (14), Merkaj (2), Haris, Kelleci (3), Verri (7) / Rakipaj, Malesia, Margilaj, Lugaj. Trajner: V. Sako
Luksemburgu: Nurenberg (12), Simon (11), Zhanpierr (8), Shmid Lorang (7), Myler (10) / Niles (10), Sak (9), Mreshes (8), Vintersdorf (2), Hermes, Vagner (8), De Rond (10) Trajner: M. Zhurdzhia
Gjyqtarë: J. Tomiç (Kroaci), D. Kunosiç (Bosnjë-Hercegovinë), T. Lukas (Sllovaki)