Gjergj Vyshka 01.10.2014 08:45
Paraqitja e sivjetme e para të rinjve nxit konkurrimin më 2015-ën me të tjera kombëtare. Federata Shqiptare e Basketbollit konfirmon garimin e Nën-16-vjeçarëve, Nën-18- vjeçarëve dhe Nën-20-vjeçarëve në Divizionin B. Shqipëria e basketbollit tashmë e ka zgjeruar gamën e pjesëmarrjes së saj në Evropës. Gjithçkaq ka ardhur nga vendimi i së hënës nga Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit, kurse dje është dhe konfirmimi përfundimtar në Federatën Evropiane të Basketbollit, edhe sepse ka pasur afat deri në 30 shtator.
Dhe gjithçka është me firmën e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Në fakt është marrë kjo iniciativë dhe nga pjesëmarrja shumë e mirë për kushtet e basketbollit shqiptar e kombëtares Nën-16-vjeç në Divizionin B, në Strumica, më 20-30 gusht të këtij. Mes 22 ekipeve pjesëmarrëse, Shqipëria e trajnerit malazez Nikola Milatoviç ka zënë vendin e 17-të, teksa arriti të merrte tre fitore dhe pësoi 4 humbje. Kuqezinjtë Nën-16-vjeçarë të koshit fituan në grup me Portugalinë 54-37, dhe më pas me Irlandën 75-64 dhe me Skocinë 67-60.
E parë kështu, me një brez lojtarësh të artë, të cilët do të jenë forca kryesore e Kombëtares Nën-18-vjeç për djem vitin e ardhshëm, atëherë Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që t’i japi të drejtën të gjitha kombëtareve. Duke shkuar kështu deri tek Nën-20-vjeç. Po si do të marrin pjesë kombëtaret tona? Serinë e pjesëmarrjes në aktivitetin ndërkombëtar për vitin 2015 e nis përfaqësuesja Nën-20-vjeç, e cila nga data 7, deri më 19 korrik 2015 do të marrë pjesë në Divizionin B. Më pas, nga data 23 korrik, deri më 2 gusht në parket do të jetë kombëtarja e meshkujve Nën-18-vjeç.
Për të vazhduar me të njëjtën grupmoshë, por këtë radhë për femrat, nga data 30 korrik, deri më 9 gusht. E parafundit do të jetë kombëtarja e djemve për paratërinjtë, nga data 6, deri më 16 gusht 2015 dhe gjithçka e mbyllin vajzat e kësaj grupmoshe, nga data 13, deri më 23 gusht 2015. Në një lajmërim në faqen e facebookut të Federatës Shqiptare të Basketbollit thuhet: “Sot është dërguar një konfirmim zyrtar të në Federatën Evropiane të Basketbollit për pjesëmarrjen në Kampionatet Evropiane të moshave Nën-16-vjeç Meshkuj dhe Femra, Nën-18-vjeç Meshkuj dhe Femra dhe Nën-20-vjeç Meshkuj.”
“Janë ftuar të gjithë ata djem dhe vajza të moshave respektive të paraqesin interesin e tyre tek trajnerët me të cilët stërviten, – vijon lajmërimi i FSHB-së. – Të gjitha ata fëmijë që luajnë në diasporë dhe kanë kombësi shqiptare (pasaportë) për të përfaqësuar Shqipërinë në këto kompeticione. Gara është e hapur për këdo që do t’i bashkohet kësaj nisme kaq serioze dhe që kërkon një impenjim dhe mbi të gjitha një punë të palodhur. Ftojmë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, bizneset dhe çdo dashamirës të basketbollit të ofrohet për mbështetje financiar dhe moral për bijtë dhe bijat e Shqipes!”