Gjergj Vyshka 02.11.2016 11:35
Më 10 dhjetor 2016 në Pragë do të hidhet dhe shorti i Kampionateve Evropiane të grupmoshave të Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve, djem dhe vajza, Divizioni A, B dhe C, e Shqipëria do të marrë pjesë.
Madje është kërkuar që, një nga këto veprimtari të zhvillohet në vendin tonë, të paktën sipas premtimeve të disa muajve më parë të presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
Por gjithçka është në vartësi të përfundimit të Sallës së re Sportive në ish-kompleksin “Dinamo”, si pjesë tanimë e Parkut Olimpik të Tiranës, si dhe kohës kur do të nisë rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Por tashmë është fakt, Shqipëria e basketbollit do të marrë pjesë në Eliminatoret e Botërorit për Të Rritur dhe Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve, djem dhe vajza. Të rriturat kanë dhe dy ndeshjet për të përfunduar Eliminatoret e Evropianit, ndërsa në Tiranë më 19 dhe 23 nëntor do të presin Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe.