AlbanianSport.com 11/02/2019 14:45
ASNN – Nisma “Bota e saj, rregullat e saj”, “pushton” Shkodrën, interes i madh për basketbollin. Tirana dhe Përmeti kishin pritur më herët këtë veprimtari të veçantë, i organizuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit me ndihmën e organizmit që qeveris koshin botëror, FIBA-n, e cilia ka moton “Bota e saj, rregullat e saj”. Në fakt, është një veprimtari për fëmijë dhe me Shkodrën u mbyll faza e parë e këtij projekti.
Një projekt që është sa interesant aq dhe domethënës për të afruar të rinjtë dhe të rejat, veçmas vajzat e vogla, në parketet e basketbollit. Pra dje u mbyll me Shkodrën faza e parë e projektit, një turne trejavor në kërkim të talentit në basketbollin e vajzave. Kështu, në Shkodër, qindra vajza të moshës nga 6 deri në 14 vjeç u bënë pjesë e projektit që u aplikua në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Pjesëmarrës ishin fëmijët e ardhur nga Shkodra, Lezha etj. Kjo nismë, sikurse e reklamon dhe vetë FSHB-ja, është përshëndetur nga FIBA, e cila e quan projekt të suksesshëm dhe pikërisht ajo që duhet bërë në Shqipëri, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësinë të njihen me këtë lojë dhe basketbolli i femrave të marrë më shumë vëmendje.
Pjesëmarrja ka qenë e gjerë dhe kjo duket se ka kënaqur organizatorët (FSHB-në) por edhe mbështetësit e tyre në FIBA.