AlbanianSport.com 30/10/2018 07:00
ASNN – Basketbolli i femrave të këtij edicioni po dhuron surpriza të mëdha, emocione dhe rivalitet të spikatur. Flamurtari, “kampion” në fuqi dhe skuadra që ka dominuar koshin e femrave prej shumë vitesh, për herë të parë nuk është më në elitë dhe ka pësuar dy humbje në katër ndeshje, ndërsa dy rivalet e tij, SH.K.B.F. Tirana e trajnerit Erdal Borova dhe SH.B.F. Tirana e trajneres Mirza Alibegajt janë në majën e kryesimit me përkatësisht 8 dhe 7 pikë në renditje, kundrejt 6 pikëve që ka skuadra e trajnerit Viron Toska.
Pikërisht trajneri vlonjat, në një intervistë që ka dhënë për të përditshmen sportive “Panorama Sport”, është shprehur se në ndeshjen e fundit të Flamurtarit të tij në Shkodër ndaj Vllaznisë, gjyqtari Kasmi dhe ndihmës i tij ishin shndërruar në “kamikazë”, për të dënuar sa të mundnin Flamurtarin dhe për të nxjerrë fitues skuadrën vendase, por jo për t’i bërë nder Vllaznisë sesa për të favorizuar Tiranën që drejtohet nga Mirza Alibegaj, e cila , sipas tij, ka konflikt interesi, sepse motra e saj, Edra Alibegaj, është anëtare e kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Kuptohet, humbjet janë të vështira për t’u kapërdirë dhe Toska duket qartë se e ka humbur paksa qetësinë, përderisa e kërkon “inferioritetin” tek gjyqtarët dhe Federata, por për sportdashësit është me interes të thuhet se ky edicion në basketbollin e femrave mund të jetë një befasi e madhe, sepse vlonjatet, të pamposhturat e koshit shqiptar, nuk janë më pretendente kryesore për titull. “Gjyqtari Olsi Kasmi me ndihmësin e tij, – tha Toska për të përditshmen në fjalë, – unë do t’i quaja “kamikazë”, të cilët ishin nisur me qëllimin e vetëm për të dëmtuar lojtaret e Flamurtarit.”
“Këtë e bënë duke gjykuar në favor të ekipit vendas, – ka vijuar ai. – Unë nuk dua të akuzoj Vllazninë, pasi është një skuadër e re dhe unë i uroj për fitoren, por kjo situatë po krijohet për favorizuar skuadrën e Tiranës që drejtohet nga Mirza Alibegaj, ku e motra Edra është anëtare e kryesisë së federatës dhe unë do ta quaja një konflikt të hapur interesi, pasi vazhdon të qëndrojë pranë Tiranës dhe ta ndihmojë në çdo drejtim. Pra, maskarada që ndodhi në Shkodër ishte një avantazh për Tiranën e Mirza Alibegajt, por ne kemi vendosur të bëjmë kërkesë.
“Që gjyqtarët që na gjykuan në Shkodër të mos jenë më në ndeshjet e Flamurtarit. Ne si skuadër nuk luajmë 5 kundër 5, por 5 kundër 7, sepse gjyqtarët janë palë me ekipet kundërshtare”, – ka përfunduar trajneri i Flamurtarit të basketbollit për femra, Viron Toska.