Gjergj Vyshka 11.03.2017 09:50
Qiprioti i kombëtares së basketbollit: “Holanda dhe Austria nuk janë si Gjeorgjia e Mali i Zi. Duam vendin e parë ose të dytë në grupin eliminator.” Antonis Kostantinides do të vijojë të jetë trajneri i kombëtares së basketbollit të meshkujve. Por jo vetëm kaq, por duke qenë se Shqipëria do të vijojë të jetë me 5 kombëtaret e saj në Kampionatet Evropian të moshave, atëherë do të jetë dhe kryetrajneri i të gjitha këtyre përfaqësueseve.
Në fjalën e tij Kostantinides, dje në prani të Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, apo dhe Sekretarit të Përgjithshëm Korab Llazani, ka kërkuar kalimin e turit të parë eliminator në gusht përballë Austrisë dhe Holandës. “Unë jam shumë i lumtur, – ka thënë Kostantinides, – që jemi duke e vazhduar këtë bashkëpunim. Kemi eksperiencën tashmë të një edicioni të mëparshëm, që do të thotë më tepër përgatitje dinjitoze.”
“Kemi një grup shumë të ashpër, – ka vijuar 42-vjeçari. – Por e mira e kombëtares sonë është se u rinovua dhe tashmë mosha mesatare është 26 vjeç. Mos harroni që tashmë kemi një grup solid që erdhi në rritje nga ndeshja në ndeshje”. E Kostantinides ka kërkuar që gjithçka të nisi nga ajo fitore e 17 shtatorit të vitit të kaluar, 72-65 ndaj Sllovakisë. “Në kombëtare do të kemi një alternim mes lojtarëve nga jashtë dhe atyre nga brenda kampionatit”, – ka thënë ai.
“Austria dhe Holanda nuk janë në nivelin e Gjeorgjisë dhe Malit të Zi, – ka vijuar qiprioti i stolit të koshit kuqezi të meshkujve. – Ndaj duhet të kërkojmë të arrijmë në vendin e parë ose të dytë në grup, për të shkuar në fazën tjetër eliminatore në nëntor, ku mund të jemi përballë Spanjës apo Greqisë, apo dhe ekipeve më të forta. Jam i kënaqur për gjithçka.”