AlbanianSport.com 30.03.2016 15:15
ASNN – Biznesmeni Avni Ponari ka marrë një mandat të 3-të në krye të Federatës Shqiptare të Basketbollit, pasi ka fituar ndaj kandidatit tjetër, Arben Fagu, në votimin e mbajtur sot në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të këtij organizmi. Po kështu është votuar edhe për përbërjen e Komitetit të ri Drejtues, prej nga kanë dalë edhe 6 anëtarët e rinj të tij.
Të shtunën është mbajtur në qytetin e Korçës Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Basketbollit, pjesë e rëndësishme e së cilës ka qenë votimi për presidentin e ri dhe anëtarët e rinj të Komitetit të saj Drejtues. Në përfundim të procesit të votimit, ku përballë njëri-tjetrit kanë qenë presidenti aktual, Avni Ponari, dhe ish-basketbollisti dhe ish-trajneri Arben Fagu, fitues është shpallur Ponari, i cili ka marrë 35 nga 52 votat e vlefshme, kundrejt 17 votave të marra nga rivali i tij.
Duke folur pas votimit, përtej rezervave që kishte, kandidati Fagu e ka uruar rivalin e tij, duke i kujtuar të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës. Ndërsa biznesmeni Ponari, i cili merr një mandat të 3-të në krye të basketbollit shqiptar, e ka hedhur vështrimin drejt 4 viteve të ardhshme. Ndërkohë, anëtarët e rinj të Komitetit të ri Drejtues do të jenë Ilir Taflaj, Edera Alibegaj, Korab Llazani, Vasil Shaka, Juel Jarani dhe Dritan Mema.