AlbanianSport.com 16.04.2016 19:55
ASNN – Organizmi që qeveris koshin kontinental, “FIBA Evropë” godet të gjitha Federatat e Basketbollit që i dolën kundër, duke i përjashtuar nga Kampionati Europian i vitit 2017.
Kështu, në total janë 14 skuadra që nuk do të lejohen të marrin pjesë në ngjarjen më të rëndësishme të kësaj disipline në kontinentin e vjetër, mes të cilëve edhe kampionia në fuqi e Spanjës me këtë të fundit që rrezikon edhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.
Shkaku për këtë ndëshkim u bë mbështetja që këto Federata kanë dhënë për “Euroligën” dhe “Eurokupën”, duke refuzuar veprimtarinë e re të krijuar nga FIBA, Ligën e Kampioneve të Basketbollit.
Përveç Spanjës, midis Federatave të Basketbollit që janë prekur nga ky dënim i FIBA Evropës janë edhe ato të Serbisë, Kroacisë, Rusisë, Lituanisë, Greqisë apo Italisë. Ndërkaq, përjashtim nga ky vendim i FIBA Evrope, bën kategoria e basketbollit për femrave.
Sidoqoftë, Federatat e ndëshkuara kanë të drejtë që deri në datën 20 prill të vërtetojnë se akuzat në drejtim të tyre janë të pabaza.