Gjergj Vyshka 11.03.2017 12:50
Në fjalën e tij, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka sjellë 3 risi. E para për të gjitha kombëtaret e moshave (Nën-16-vjeçarët djem në Andorra, nga data 23, deri më 30 korrik 2017, Nën-16-vjeçaret vajza, në Maqedoni, nga data 17, deri më 26 gusht 2017, Nën-18-vjeçarët, djem, në Estoni, nga data 28 korrik, deri më 4 gusht 2017, Nën-18-vjeçaret, vajza, në Irlandë, nga data 4, deri më 13 gusht 2017 dhe Nën-20-vjeçarët, djem, në Rumani, nga data 14, deri më 23 korrik 2017) ka kërkuar që minimumi 50 % e ndeshjeve të fitohen.
“Sepse tanimë kemi kaluar nga periudha e fitimit të eksperiencës, na duhen fitore, – ka thënë biznesmeni i njohur, që është njëkohësisht edhe kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Këto kombëtare do të kenë koordinatorët e tyre që janë emra të njohur të basketbollit Ilir Trebicka, Gazmend Çaçi, Kostandin Shkurt, Edera Alibegaj, Roland Avrami dhe Pjerin Bushati. Ndaj tashmë kërkohen rezultatet.”
E dyta është që ndeshjet ndaj Austrisë dhe Holandës do të luhen në sallën e re sportive në Parkun Olimpik në Tiranë. “Dhe e treta, vazhdimësia e kontratës së Konstantinidesit do të varet nga rezultatet”, – përfundon edhe me humor, por dhe seriozisht presidenti i Federatës Shqiptare së Basketbollit, Avni Ponari.