Gjergj Vyshka 25.08.2016 15:10
Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i ka dorëzuar pasaportën që e ka marrë të martën me dekret të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Reshon Inill Broudus është shqiptari më i ri i kombëtares së të rriturve për meshkuj, që është në prag të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të 2017-ës.
Ka qenë një ndër premtimet e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, për të “natyralizuar” amerikanë, ashtu sikurse të gjitha kombëtaret e tjera të Evropës.
Dhe tashmë gjithçka është bërë realitet. Reshon Inill Broudusi, i cili të martën është pajisur me dekret të presidentit të Republikës, Bujar Nishani, me pasaportën shqiptare atë e ka marrë dje nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
Janë bërë ndërmjetësimet e rastit për natyralizimin e tij, ndërsa dje në mesditë janë shtrënguar dhe duart mes Ponarit dhe Broudusi, i cili është lojtari i ri kuqezi. Amerikani ka mbërritur të martën në Tiranë.
Ai është akomoduar në hotelin ku qëndrojnë kuqezinjtë dhe tanimë të dielën do t’i bashkohet kombëtares për të vijuar përgatitjet e për të qenë i gatshëm për ndeshjen e parë eliminatore më 31 gusht 2016, në Tbilisi, ndaj Gjeorgjisë vendëse.