Gjergj Vyshka 25.11.2014 11:15
Ashtu sikurse kishte paralajmëruar dhe më parë, Federata Shqiptare e Basketbollit tashmë ka nisur fazën intensive të përzgjedhjes së kombëtareve të moshave, që verën e ardhshme do të jenë pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian, shorti i të cilës zbardhet të shtunën, ndërsa goglat do të rrotullohen në Budapest.
Të parët që do të zbresin në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të jenë kandidatët e kombëtares së Nën-20-vjeçarëve, të drejtuar nga malazezi i suksesshëm Nikola Milatoviç. Grupi i punës për këtë kombëtare, ndërsa stërvitja do të kryhet në ora 10:00, drejtohet nga anëtari i kryesisë Ilir Taflaj, i cili është dhe përgjegjësi i ekipeve kombëtare.
Ndihmësat e Milatoviçit tek Nën-20-vjeçarët do të jenë Darian Adhamidhi dhe Eni Llazani, ndërsa Dea Nelaj do të jetë koordinatore. Ndërkohë që pasdite, nga ora 15:00-17:00, do të jetë radha e kombëtares së Nën-18-vjeçarëve për djem, me basketbollistë të datëlindjes 1997-1998, që do të drejtohen nga ish-basketbollisti i mirënjohur, Afrim Bilali.
Ndihmësit e Bilalit do të jenë Mikel Serbo dhe Juel Jarani, ndërsa koordinator dhe menaxher i ekipit Fatjon Mati. Gradualisht pritet të nisë dhe përzgjedhja për Nën-16-vjeçarët djem e vajza, si dhe për Nën-18-vjeç vajza. Por ajo që mbetet e rëndësishme, edhe për një përfaqësim dinjitoz si ai i sivjetmi i kombëtares së Nën-16-vjeçarëve djem, puna seleksionuese dhe më pas konsolidimi i skuadrave ka nisur që tani.