AlbanianSport.com 17.02.2016 17:15
ASNN – Nën kujdesin e FIBA Evropë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës prej 18 deri më 22 shkurt 2016, do të mbahet në Prishtinë një seminar për gjyqtarët kandidatë potencialë (kombëtarë).
Organizm që qeveris basketbollin në Kosovës, FBK-ja, ka bërë të ditur se në këtë seminar do të ligjerojnë Davorin Nakiç, shef i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë dhe Gjorgi Piperkov, instruktor i FIBA-s.
Ndërkaq gjyqtarët kandidatë potencialë të FBK-së që do të marrin pjesë në këtë seminar janë: Daut Mehmeti, Xhelal Mumini, Elion Obërtinca, Dardan Maxhuni, Blendi Fejza, Ngadhnjim Shabani.
Ndërsa në të do të marrin pjesë edhe tre kandidatë të tjerë, dy nga Shqipëria dhe një nga Maqedonia, si dhe instruktori kombëtar, Faton Kurshumlija. Seminari është ndarë në tri pjesë: teori, testime dhe praktikë.
Ligjëratat do të mbahen në hotel “Emerald” në Prishtinë, kurse testimet dhe ndeshjet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, si dhe në Kolegjin ISP në “Marigona Residence”.