Gjergj Vyshka 24.08.2016 11:45
Shqipëria në basketboll për meshkuj tashmë është gati për turneun e dytë miqësor në kuadrin e përgatitjeve për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017, të cilat nisin më 31 gusht me vizitën e vështirë në Tbilisi të Gjeorgjisë. Pas përfundimit të miqësoreve në Qipro, atje ku fituan 71-70 me Katarin dhe u mundën 64-71 me Estoninë dhe 51-94 me përfaqësuesen vendëse, dje kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Talinit.
Në fakt ka qenë një udhëtim i lodhshëm, Tiranë-Stamboll-Talin, ndërsa në orët e vona të pasdites kuqezinjtë e koshit kanë mbërritur në hotel. Sipas ndihmëstrajnerit të kuqezinjve, Afrim Bilali, mbrëmë është zhvilluar dhe stërvitja e parë në “Saku Surhall”, atje ku dhe do të luhen ndeshjet e këtij turneun. Nga Bilali është mësuar se në ndryshim nga turneu miqësor në Qipro është zëvendësuar Denis Deda me Herjon Faslinë, që në fakt ka qenë i dëmtuar.
“Deda, – ka sqaruar ndihmëstrajneri, – është pjesë e kombëtares për Eliminatoret, por i është lënë kohë të rikuperohet nga dëmtimi. Në të njëjtën kohë, kërkohet të shihet Faslija e të provohet pas dëmtimit. Sigurisht që ka qenë pak e lodhshme udhëtimi në Talin dhe stërvitja e fundit dje në mbrëmje ka shërbyer dhe si një rikuperim forcash nga udhëtimi i gjatë.”
“Shpresojmë që të mos kemi probleme sot”, ka përfunduar nga Talini për “Sport Ekspres” ndihmësi i trajnerit Antonis Konstandinides, Afrim Bilali, ndërsa kuqezinjtë përballjen e parë sot do ta kenë me Izraelin. Një ditë më pas me Ukrainën dhe në fund e mbyllin me Estoninë.
Lista e lojtarëve për turneun miqësor të Estonisë:
Elvis Dusha, Herjon Faslija, Algert Gjonaj, Abdel Gjyzeli, Endri Hysenagolli, Mired Jani, Aldor Kola, Genti Lasku, Robert Shestani, Gerti Shima, Çelis Taflaj, Adriano Topalli, Redi Vogli
Kalendari i ndeshjeve miqësore në Estoni
24 gusht 2016 Shqipëri – Izrael ora 16:30 (lokale)
25 gusht 2016 Ukrainë – Shqipëri ora 16:30 (lokale)
26 gusht 2016 Estoni – Shqipëri ora 19:00 (lokale)