AlbanianSport.com 06.10.2014 08:10
ASNN – Kampionati Botëror i Basketbollit për Femra, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur të dielën finalen e madhe, ku Spanja është përballur me kampionen në fuqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe pas, meshkujve, edhe femrat amerikane e kanë mbrojtur me sukses kurorën e më të mirëve të botës, duke triumfuar bindshëm mbi rivalet evropiane.
Amerikanet i kanë treguar dhëmbët që në 10-minutëshin e parë, duke e fituar atë me rezultatin e thellë 28-17, duke vijuar ta ruajnë këtë ritëm loje edhe në atë të dytin, të cilin e kanë fituar me shifrat 20-18. Kjo ka bërë që, në pushim të ndeshjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të udhëheqin 48-29, dhe në dy pjesët e tjera, Spanja është e pafuqishme për të reaguar.
Ndonëse pjesa e 3-të është mbyllur në barazim 19-19 dhe spanjollet e fitojnë të 4-tën 16-10, kjo nuk ka mjaftuar, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e fityojnë gjithë ndeshjen 77-64. Kështu, amerikanet e kanë fituar për të dytën herë radhazi dhe të 10-tën herë titullin e kampioneve të botës, duke konfirmuar supremacinë e tyre në basketbollin botëror.