Gjergj Vyshka 22.05.2016 11:55
Janë luajtur të shtunën gjysmëfinalet e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për paratërinj, ndërsa Superiori ka mundur Kamza Basket dhe Tirana, Marsi Basket. Tek Kamza Basket ka rënë në sy Ergys Muhametaj, i cili falë dhe stërvitjes me ekipin e të rriturve arrin të bëjë dallim.
Shifrat flasin vetë ndërsa nga 47 pikë të realizuara nga Kamza Basket, 23 janë realizuar prej Ergys Muhametajt, që do të thotë gjysmën e tyre. Pasi edhe pse ka qenë në rolin e organizatorit ka guximin jo vetëm të depërtojë, por dhe të gjuajë për 3 pikë, ndërsa ka qenë i saktë në 3 gjuajtjet e tij.
Mund dhe duhet të jetë më i qetë në raportin me komunikimin me gjyqtarët, sepse në një protestë të tillë është ndëshkuar dhe me gabim teknik nga gjyqtari Briken Tafilica. Normalisht i vetëm nuk mund t’i bënte dot ballë Superiorit, kampionia në fuqi që synon të 3-tin titull radhazi në këtë grupmoshë.
Për më tepër, një skuadër që, në total numëron 39 fitore në 39 ndeshje të luajtura në gati dy sezone. Është munduar Xhilaga me 15 pikët e tij, kurse pjesa tjetër e Kamza Basket nuk i është përgjigjur nivelit të dyshes Muhametaj-Xhilaga, ndaj dhe ka ardhur humbja 47-57.
Superiori – Kamza Basket 57-47
(15-9, 14-10, 12-15, 16-13)
Superiori: Pasho (11), Berati (8), Balliu (2), Çela (15), Muho (12) / Syku (5), Hoxhalli (3), Dibra (1), Hoxha, Kurupaj. Trajner: N. Saraçi
Kamza Basket: Ndoj (2), Muhametaj (23), Basha (2), Kurti (2), Xhilaga (15) / Mirashi, Alia, Ndreu (3). Trajner: G. Muhametaj
Gjyqtarë: E. Allaraj (Tiranë), B. Tafilica (Shkodër)