AlbanianSport.com 19.08.2017 12:15
ASNN – Në palestrën e Bathores prej disa ditësh kanë filluar punimet intensive, rrënjësore me synim që palestra të jetë me standarde dhe e gatshme me fillimin e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit. Sipas burimeve pranë Bashkisë së Kamzës, premtohet që palestra do të jetë e gatshme, jo vetëm për fillimin e kampionatit të basketbollit, por edhe më përpara që ekipet e Kamzës në basketboll të kenë mundësi të zhvillojnë stërvitjen te kjo palestër.
Në këtë palestër zhvillojnë ndeshjet zyrtare si dhe përgatitjet të gjitha ekipet e basketbollit të Kamzës për meshkuj dhe femra si dhe ekipet “zinxhir”. Përveç investimeve në infrastrukturën rrugore ku janë asfaltuar disa rrugë në Kamëz dhe Paskuqan, gjatë këtyre ditëve është rikonstruktuar pothuajse e gjithë palestra në Bathore. Ndërhyje janë bërë rrënjësore, veçanërisht në parket, në ndenjëset për tifozët, dhomat e zhveshjes si dhe në sistemin hidrosanitar.
Sheshi i palestrës 660 metra katrore është bërë totalisht i ri me standarde bashkëkohpore. Përveç tyre janë bërë edhe zgjatimi i konstruksionit metalik për koshat e basketbollit, vendosja e parmakëve anësor metalik dhe stolave për spektatorët. Në përfundim të punimeve të rikonstruksionit palestra do të kthehet një nga palestrat më të mira në Shqipëri siç ka qenë para disa vitesh.