Gjergj Vyshka 02.08.2016 10:40
Shqipëria e basketbollit të meshkujve, që nga paraditja e djeshme, ka nisur përgatitjet e saj për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017, që nisin më 31 gusht dhe përfundojnë në 17 shtator 2016. Ashtu sikurse është bërë e ditur që nga momenti i hedhjes së shortit më 22 janar, Shqipëria do të jetë përballë Gjeorgjisë, Sllovakisë dhe Malit të Zi. Kësaj kombëtareje këtë herë i mungojnë Klaudio Ndoja, i cili sapo ka firmosur tek Virtus Bolonja, Franko Bushati dhe Ermal Kuqo.
Ky i fundit është tërhequr dhe për shkak të moshës dhe impenjimeve të tjera. Për këtë arsye, trajneri qipriot i kombëtares kuqezi, Antonis Kostandinides, do të pranonte që grupi nuk është i plotë. “Janë 3-4 lojtarë, të cilët për arsyet e tyre nuk vijnë në kombëtare, – ka thënë trajneri qipriot në intervistën e tij të parë për mediat. – Do të kishim dashur, qoftë dhe për eksperiencë, që ata ishin. Megjithatë do të mundohemi që të marrim maksimumin nga ky grup që ne kemi. Nuk duhet të presim mrekullinë, por të paktën të jemi dinjitoz dhe të hedhim bazat për të ardhmen e kësaj kombëtareje.”
“Gjeorgjia dhe Mali i Zi janë kundërshtarë që kanë brenda tyre lojtarë që luajnë në Evropë dhe në Kampionatin Amerikan të Basketbollit (NBA), – ka vijuar Kostandinidesi. -Sllovakia është një përfaqësuese në ndërtim. Detyra jonë është të jemi sa më dinjitozë dhe të luajmë një basketboll që t’u pëlqejë të gjithëve. Pastaj mendojmë të ardhmen për Eliminatoret e tjera.”
Është thënë, të paktën paraprakisht, se, përpara se të nisë ndeshjet zyrtare, e para më 31 gusht 2016 në fushë të huaj, në Gjeorgji, Shqipëria e basketbollit të meshkujve do të marrë pjesë në dy turne miqësorë, në Qipro dhe në Estoni. Ka qenë një angazhim maksimal i stafit të Federatës Shqiptare të Basketbollit për të mos i munguar asgjë kombëtares së meshkujve, e cila është e grumbulluar në mjediset e Hotel “Komfort” në Tiranë.
Lista e kombëtares së basketbollit meshkuj:
Elvis Dusha (Angli), Robert Shestani (Kamza Basket), Mired Jani (Tirana), Aldor Kola (SHBA), Red Vogli (Tirana), Genti Lasku (Tirana), Adriano Topalli (SHBA), Çelis Taflaj (Itali), Algert Gjonaj (Vllaznia), Marsel Aliaj (Teuta), Dod Lekndreaj (Vllaznia), Abdel Gjyzeli (Tirana), Julian Hamati (Kamza Basket), Gerti Shima (Sigal Prishtina), Besnik Biberaj (SHBA), Endrid Hysenagolli (Bashkimi Prizren), Denis Deda (SHBA), Herion Faslija (Vllaznia), Franci Zeneli (Itali)
Trajner: Antonis Kostandinides
Ndihmëstrajnerë: Afrim Bilali dhe Endri Rumani
Kalendari i Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2017:
31 gusht 2016 Gjeorgji – Shqipëri ora 19:00
3 shtator 2016 Shqipëri – Mali i Zi ora 19:00
7 shtator 2016 Sllovaki – Shqipëri ora 18:00
10 shtator 2016 Shqipëri – Gjeorgji ora 19:00
14 shtator 2016 Mali i Zi – Shqipëri ora 21:00
17 shtator 2016 Shqipëri – Sllovaki ora 19:00