Gjergj Vyshka 24.07.2017 12:30
Shqipëria e Nën-20-vjeçarëve në basketboll për djem e ka përfunduar Kampionatin Evropian, që dje është mbyllur në Oradea të Rumanisë, në vendin e 14-të mes 21 ekipeve pjesëmarrëse.
Në finalen e vendeve 13 dhe 14, Shqipëria është mundur nga Maqedonia, 65-71, në një ndeshje me hope. Është nisur mirë ky takim, teksa kuqezinjtë kanë fituar pjesën e parë, me shifrat 15-7.
Por maqedonasit, edhe duke pasur një lojtar si Efremovski, ia kanë dalë të përmbysin në të dytën. Kanë fituar 16-26 dhe në pushim kanë kryesuar 31-33. Edhe një tjetër në sulm Shqipëria, që fiton pjesën e tretë, 21-16, dhe përmbys në 52-47.
Mirëpo “gjunjët” nuk mbajnë fort. Maqedonia fiton pjesën e 4-t, 13-22, dhe krejt ndeshjen 65-71. Megjithatë në 7 ndeshje, me dy fitore dhe 5 humbje dhe duke lënë nga pas 7 ekipe, Shqipëria e Nën-20-vjeçarëve duhet konsideruar pozitive, ndonëse mund të kishte bërë dhe më shumë.
Shqipëri – Maqedoni 65-71
(15-7, 16-26, 21-16, 13-22)
Shqipëria: Gorea, Qilimi (11), Strazimiri (14), Lekndreaj (17), Beli (13) / Hanelli, Lilaj (10). Trajner: M. Serbo
Maqedonia: Serafimov (3), Robev (14), Mitkov, Maslinko (14), Efremovski (30) / Atanasov (1), Petronvikj (4), Dvojakovski, Mamuzikj (2), Gligorevikj (3).
Gjyqtarë: M. Brziak (Sllovaki), D. Kabale (Irlandë), M. Tomov (Bullgari)