AlbanianSport.com 31.07.2015 16:15
ASNN – Ka qenë për t’u përshëndetur nisma e Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) për ta nisur procesin e rindërtimit të ekipeve përfaqësuese të koshit që në zanafillë, pra, që tek ekipet zinxhir dhe këtë verë kanë qenë plot 5 të tillë të përshirë në eliminatoret e Evropianit, natyrisht, në Divizionin B apo C. Një nga këto ekipe është edhe Kombëtarja e Nën-18-vjeçareve, e cila sot ka nisur debutimin e saj në Divizionin B, në grupin A, ku është mundur nga Bjellorusia me rezultatin e thellë 21-100.
Natyrisht që humbja nuk është një tragjedi, sepse në sport ndodh, madje nuk është një tragjedi kur mban parasysh se vetë FSHB-ja ka theksuar se synimi kryesor i pjesëmarrjes në këto eliminatore është përfitimi i përvojës dhe përballja e basketbollisteve tona të reja me parketin ndërkombëtar. Por ajo që ndodhi në Rumani, në takimin që nisi në ora 13:30 me orën lokale, në prani të 150 tifozëve, ishte e turpshme.
Kombëtarja kuqezi ka dhënë shenja jete vetëm në 10-minutëshin e parë, kur është mundur 14-27, ndërsa ka nisur të çedojë në atë të dytin, kur ka realizuar vetëm 6 pikë kundrejt 18 pikëve të bjelloruseve dhe për qenë inekzistente në parket në dy gjysmat e tjera të lojë. Dhe kur themi “inekzistente”, e kemi në kuptimin e mirëfilltë të fjalë, pasi përballë 55 pikëve të realizuar nga Bjellorusia, tanet kanë shënuar 1 pikë të vetme.
Sado e pabesueshme që të duket, është plotësisht e vërtetë: Një pikë e realizuar, edhe ajo në pjesën e tretë, ku kundërshtaret realizuan 25, sepse në atë të katërtën nuk “e njomën” asnjëherë koshin e bjelloruseve. Dhe, në përfundim, 21-100 në favor të Bjellorusisë, në një takim ku vajzat kuqezi realizuan afro 1 pikë në çdo dy minuta lojë, ndërsa kundërshtaret 2.5 pikë për çdo minutë.
Ajo që mbase FSHB-ja duhet të marrë në shqyrtim, është se në stolin e skuadrës sot ka qenë trajneri vlonjat, Viron Toska, emri i të cilit, si për ironi të fatit, është i lidhur edhe atë që është padyshim disfata më e rëndë e basketbollit kuqezi në arenën ndërkombëtare, atë humbje 33-127 përballë Estonisë në takimin e vlefshëm për Eliminatoret e Eurobasketit të Të Rriturave më 1 gusht të 2010-tës.