AlbanianSport.com 01.08.2015 18:55
ASNN – Vetëm 24 orë pas asaj humbjeje të thellë dhe të turpshme Bjellorusisë, Kombëtaren shqiptare e Nën-18-vjeçareve në basketboll për vajza, që merr pjesë në Divizionin B të Kampionatit Evropian ka marrë një tjetër goditje. Basketbollistet e reja kuqezi janë mundur sot sërish thellë, ketë herë nga Turqia, me shifrat 102-31, në një tjetër ndeshje të luajtur kuq dhe që nuk ka nevojë për shumë koment.
Ndeshja e sotme nuk ka patur asnjë ndryshim nga ajo me bjelloruset, pasi është kontrolluar plotësisht nga skuadra kundërshtare, e cila, në 40 minuta lojë, e thelloi epërsinë në mënyrë të vazhdueshme dhe e vetmja gjë pozitive sot për ekipin e Nën-18-vjeçareve kuqezi, është se të paktën realizoi në çdo pjesë edhe pse pikët janë me pikatore, 31 në total.
Janë 52 në dy ndeshje, ndërsa në të dyja takimet Shqipëria ka pësuar nga 100 pikë (21-100 humbja me Bjellorusinë dje), që janë në fakt shifrat që nuk premtojnë edhe aq për një kombëtare të rejash, që nesër do të jetë e ardhmja e këtij sporti. Vetëm 4 basketbollistë shqiptare arritën të realizojnë edhe pse trajneri Viron Toska i aktivizon të gjitha.
Dishnica me 13 pikë e Xhori me 11 janë dy shënueset më të mira, ndërsa në krahun tjetër, ashtu si Bjellorusia dje, të gjitha basketbollistet e Turqisë sot arrijnë të realizojnë në koshin kuqezi, madje duhet theksuar se të 15 basketbolliste kundërshtare kanë shijuar një minutazh të konsiderueshëm, pasi sportistja që ka ndenjur më gjatë në parket Yzyn, ka luajtur vetëm 22 minuta, ndërsa më pak, 13, ka luajtur Gyçlly.
Në këtë Evropian të basketbollit të moshave, Shqipëria ndodhet në Grupin A të Divizionit B, që ndeshjet i zhvillon në Rumani, së bashku me Suedinë, Zvicrën, Bjellorusinë e Turqia. Ndaj zviceraneve, Shqipëria do të luajë të dielën, por nuk pritet asnjë ndryshim në lojë e rezultat, për më tepër që përfaqësuesja e Zvicrës nuk ka asnjë humbje pas dy ndeshjeve të para dhe kryeson grupin.
Shqipëri – Turqi 31-102
(8-27, 4-25, 12-28, 7-22)
Shqipëria: Sinorukaj, Toska, K. Xhyra, Dishnica (13), Konini, K. Hasanaj (5), D. Hasanaj (2), Ahmetaj, Gjoshi, Xhori (11), Velias, Jaçe. Trajner: V. Toska
Turqia: Topuz (13), Albajrak (7), Korkmaz (11), Kurtullmus (7), Xhanbaz (5), Jaja (9), Yzyn (5), Ari (2), Jidiz’han (8), Gyner (18), Avxhë (6), Guçllu (11). Trajner: A. Durur
Gjyqtarë: A. Davidov (Rusi), N. Monteiro (Portugali), D. Stasiev (Moldavi)