AlbanianSport.com 03.08.2015 15:20
ASNN – Në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, po luhen ndeshjet e grupit A të Divizionit B të Kampionatit Evropian të Basketbollit për grupmoshën e Nën-18-vjeçareve dhe vajzat kuqezi kanë luajtur sot pasdreke ndeshjen e tyre të katërt, duke u përballur me homologet e përfaqësueses së Zvicrës.
Sikundër ka bërë edhe në 3 takimet e mëparshme, edhe këtë sfidë, skuadra e drejtuar nga trajneri Viron Toska, është mundur thellë, por, të paktën, ka shmangur humbjen me 3 shifra duke u mjaftuar me rezultatin 22-95. Por sikundër në 3 takimet e deritanishme, vajzat kuqezi nuk kanë shkuar dot më larg se 22 pikë të realizuara.
Dhe ashtu si në 2 prej 3 takeve të deritanishme, Shqipëria ka përjetuar prapë një 10-minutësh loje, atë të 3-tin, ku nuk ka arritur të shënojë asnjë pikë, ndërsa zviceranet shënojnë plot 23. Duke mos dashur të mos bëjmë shumë komente, po ju sjellim thjesht rezultatet e të katër pjesëve të lojës që ishin përkatësisht 31-11, 24-4, 23-0 dhe 17-7.