AlbanianSport.com 31.07.2015 10:45
ASNN – Më në fund, pas 6 humbjesh vjen fitorja e parë e Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve në basketboll për djem, e cila mundje thellë 62-37 Luksemburgun, në takimin e vlefshëm për vendet nga i 17-ti deri në 23-tin në Grupin I të Divizionit B të Kampionatit Europian (turneu po zhvillohet në Austri).
Pas një javë veprimtari, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali, kanë fituar me meritë. Ka qenë një ndeshje e kontrolluar gjatë gjithë kohës nga Shqipëria, që me këtë sukses nuk do të renditet në vendet e fundit dhe pas dy ditësh do të zhvillojë sfidën e radhës dhe të parafundit në këtë turne evropian moshash.
Ende nuk dihet emri i skuadrës së ardhshme rivale, por Kombëtarja përfitoi nga një kundërshtar modest si Luksemburgu për të arritur fitoren e parë, duke treguar superioritet gjatë 40 minutave lojë. Në këtë takim spikati, sikundër ka bërë edhe në ndeshjet e tjera, i riu Taflaj, i cili realizoi 11 pikë, ndërsa Lilaj shënoi 17.
Luksemburg – Shqipëri 37-62
(10-14, 10-24, 7-13, 10-11)
Luksemburgu: Viktor, Andjelkovic (10), Lesyrë (2), Shomer (4), Martin, Pefer, Stajn (3), Gajl (8), Mejer, Kolbah (6), Kame (3), Losheter (1). Trajner: R. Klos.
Shqipëria: Taflaj (11), Strazimiri (6), Qilimi (8), Gorea, Shaqiri, Haxhi (2), Tallushi, Lilaj (17), Sela (6), Zyka (10), Rakaj, Lekndreaj (2). Trajner: A. Bilali