AlbanianSport.com 05.08.2015 23:30
ASNN – Shqipëria e basketbollit për Nën-18-vjeçaret më në fund ka dhënë shenja jeta, pasi ka luajtur sot ndeshjen e 5-të në kuadër të Divizionit B të Evropianit të kësaj grupmoshe, që po i zhvillon ndeshjet në Rumani. Ka humbur 47-78 me Irlandën, por të paktën ka reaguar, ndryshe nga takimet e para.
Kjo vërehet edhe nga fakti se, ndryshe nga 4 takimet e grupit A, ku vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri vlonjat Viron Toska ishin mundur, duke shënuar vetëm 95 pikë, afro 24 pikë për ndeshje, dhe duke pësuar plot 403 pikë, afro 101 për ndeshje, sot ndaj irlandezeve, vajzat kuqezi kanë shënuar 47 pikë.
E për më tepër, ndryshe nga 3 nga 4 takimet e grupit ku kishte patur 10-minutëshe loje në të cilat Shqipëria nuk kishte arritur të shënonte as edhe një pikë të vetme, të paktën ndaj Irlandës, ajo ia ka dalë madje të fitojë një 10-minutësh, atë të fundit, me shifrat 19-11. Mbase ishte një “fitore si e Pirros”, por sidoqoftë vlen.
Irlandezet kanë dëshmuar ambiciet e tyre, duke bërë një gjysmëore lojë të fortë e duke i fituar 3 pjesët e para, përkatësisht 24-8, 23-12 dhe 20-8. Fitorja 19-11 e pjesës së fundit nga vajzat kuqezi shërbeu për ta bërë rezultatin sadopak të pranueshëm. Jaçe me 16 pikë, Dishnica me 15 dhe Xhori me 12, ishin pikëshënueset më të mira kuqezi.
Nga dy pikë realizuan edhe Hasanaj dhe Ahmetaj, ndërsa më datë 7 gusht, Shqipëria ndeshet me Qipron dhe, më datë 9 gusht përballet me Islandën.