Gjergj Vyshka 12.08.2015 18:50
Pavarsisht një “thesi” me humbje në Divizionin B të Kampionatit Evropian, që i zhvilloi ndeshjet në Bukuresht, Shqipëria e Nën-18-vjeçareve në basketboll për femra të paktën e ka marrë një çmim.
Në fund organizatorët e kësaj veprimtarie, së bashku me drejtuesit e Federatës Evropiane të Basketbollit, i kanë dhënë çmimin e “Fair-Play” si skuadra më e sjellshme e veprimtarisë.
Në fakt pas rezultateve zhgënjyese, teksa janë mundur 21-100 me Bjellorusinë, 31-102 me Turqinë, 21-106 me Suedinë, 22-95 me Zvicrën, 47-78 me Irlandën, 57-84 me Qipron dhe 50-70 me Islandën, ky ishte suksesi i vetëm i kësaj Kombëtareje.
Skuadra më “Fair-Play” dhe më e sjellshmja e Kampionatit Evropian. Tashmë në garë do të jetë dhe Nën-16-vjeçaret, e cila të mërkurën nis pjesëmarrjen e saj në Divizionin B, që zhvillohet në Ohër dhe Strugë të Maqedonisë.