Gjergj Vyshka 05.08.2015 08:50
Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve të Shqipërisë në basketboll dje ka qenë pushim. Duket se ka qenë një farë frymëmarrje për skuadrën e drejtuar nga Viron Toska dhe Elvira Xhyra, ndërsa paraqitja e tyre në Divizionin B të Evropianit ka qenë jo vetëm zhgënjyese, por shumë skandaloze dhe katastrofë.
Rezultatet tashmë janë bërë të ditura dhe nuk ka nevojë për shumë koment. 21-100 me Bjellorusinë, 31-102 me Turqinë, 21-106 me Suedinë dhe në fund në grup 22-95 me Zvicrën. Lojtarja më e mirë, të paktën për këtë pjesë të parë të këtij Evropiani, është Ebi Dishnica, me një mesatare prej 10 pikësh për ndeshje.
Që do të thotë se ka bërë më shumë se gjysmën e pikëve që ka realizuar në total kjo kombëtare. E sot, duke nisur nga ora 11:30, Shqipëria e Nën-18-vjeçareve nis serialin e ndeshjeve të dyta, teksa do të jetë përballë Irlandës. Ndërsa më 7 gusht, në ora 18:00, do të jetë përballë Qipros.
Dhe më 9 gusht, kohë kur përfundon Divizioni B në Bukuresht, do të jetë përballë Islandës, në ora 09:30. Por ajo që mund të shpresohet është një paraqitja pak më dinjitoze te vajzave kuqezi, pasi ajo që kanë dhënë në parket ka qenë e papërligjshme për nivelin e basketbollit të sotëm.