Gjergj Vyshka 26.05.2016 13:45
Ashtu sikurse ishte lajmëruar dhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit, dje pasdite në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” ka nisur përzgjedhja e kombëtares së Nën-16-vjeçarëve. Sipas trajnerit të kësaj përfaqësueseje, Afrim Bilali, në stërvitje janë paraqitur gati 75 basketbollistë. “Ajo që më kënaq mua është masiviteti”, – tha ai.
“Por që niveli lë shumë për të dëshiruar, parë dhe nga “play-off”-i për titull, – ka vijuar ish-basketbollisti i mirënjohur, tashmë në rolin e trajnerit. – Megjithëse ky ishte materiali bruto që erdhi, ndërsa tashmë duhet shumë punë për të bërë një ekip solid. E kemi ndarë skuadrën në katër grupe.”
“35 vetë u seleksionuan dje, prej të cilëve, 20 do të jenë për të premten, – ka sqaruar Bilali. – Dhe 40 do të seleksionohen sot, ku të premten do të jetë një stërvitje e përbashkët mes këtyre të përzgjedhurve. Problemi është se edhe unë kam 15-16 lojtarë 16-vjeçarë tek Ardhmëria Basket, por ama vetëm dy e di që bëjnë për kombëtare.”
“Nuk mund të jenë 18 lojtarë nga një skuadër. Masiviteti është mirë që ndodh, cilësia më pas do të vijë me punë”, – ka përfunduar trajneri Afrim Bilali për “Sport Ekspres”, pas përfundimit të fazës së parë të përzgjedhjes së Kombëtares së kuqezinjve të Nën-16-vjeçarëve.