Gjergj Vyshka 28.06.2016 12:35
Kombëtarja Nën-16-vjeçareve për vajza, e cila drejtohet nga Valbona Sako dhe Eliverta Bujari, dje ka zhvilluar stërvitjen e saj të dytë në Sallën Kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Nga 24 basketbolliste, tashmë të federuara në Federatën Evropiane të Basketbollit për të marrë pjesë në Divizionin B, ndeshjet e të cilit zhvillohen në Oradea të Rumanisë, nga data 5, deri më 14 gusht, kanë qenë të pranishme 20 lojtare.
Pikërisht katër basketbollistë, një e Skënderbeut, dy të Flamurtarit dhe një e Vllaznisë, nuk kanë qenë të pranishme, ndërsa dje duket se ka qenë dita që Sako së bashku me ndihmësen e saj Bujari, por dhe asistencën e trajneres së të rejave të Vllaznisë, Xhuljeta Shestani (Basha), apo dhe trajnerit së të rejave të Përmetit, Et’hem Kaso, do të mund të caktonin listën prej 19 lojtaresh.
Sigurisht që edhe kjo listë do të vijë duke e thjeshtuar fillimisht në 15, që do të jetë grupi optimal për një stërvitje më të mirë në prag të pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçareve për vajza, e deri në 12-shen përfundimtare. Shqipëria e Nën-16-vjeçareve për vajza, në Kampionatin Evropian të kësaj moshe, gjithnjë në Divizionin B, në Oradea të Rumanisë do të jetë përballë Danimarkës, Ukrainës, Greqisë, Luksemburgut dhe Islandës. Pra kërkohet një paraqitje më dinjitoze se sa vitin e kaluar.