Gjergj Vyshka 30.12.2014 08:50
Një tjetër veprimtari për moshat deri në 10 vjeç në basketboll është zhvilluar ditët e fundit në palestrën e Universitetit të Sportit në Tirana. I quajtur “Turneu i Dhjetorit”, kjo veprimtari, që ka pasur dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Basketbollit, ka mbledhur katër ekipe, të cilat ishin “Invaders”, Sonia Basket, Superior Klima dhe Qendra e Mini-Basketit Tiranë.
Në përfundim të 6 ndeshjeve, “Invaders” ka fituar turneun, kurse trofeun e ka dorëzuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Jo vetëm kaq, por është dhënë dhe kupa për lojtarin më të mirë të turneut, që i ka takuar Kristi Koçit. Sakaq dje ka pasur dhe një ndeshje “All-Stars” për basketbollistët e moshës deri në 10 vjeç, pa harruar dhe kombëtaren e Nën-20-vjeçarëve, e cila ka mbyllur seleksionimin e saj.
Të gjitha këto veprimtari të moshave, përveç ndjekjes së Federatës Shqiptare të Basketbollit me në krye Sekretarin e Përgjithshëm, Korab Llazani, kanë pasur dhe interesimin e anëtarit të kryesisë, që është njëkohësisht dhe përgjegjës për ekipet kombëtare të moshave, Ilir Taflaj.
Rezultatet teknike të
“Turneut të Dhjetorit” – Nën-10-vjeç
Invaders – Sonia Basket 22-6
QMB Tirana – Superior Klima 8-34
Superior Klima – Sonia Basket 22-6
Invaders – QMB Tirana 42-8
Invaders – Superior Klima 18-4
Sonia Basket – QMB Tirana 30-6