AlbanianSport.com 18/10/2018 17:05
ASNN – Në ditën e dytë të sezonit të ri në Kampionatit Amerikan të Basketbollit (NBA), kanë qenë plot 11 ndeshje të luajtura, midis të cilave spikat pa dyshim humbja e Hjuston Rokets në “Tojota Sentër”, me shifrat 112-131 përballë Nju Orlins Pelikans. Ekipi më i mirë e sezonit të rregullt edicionin e kaluar zhvilloi një ndeshje shumë të dobët, aq sa më i miri mbi parket për Rokets rezultoi Gordoni, me 21 pikë.
Taker dhe Paul u ndalën me nga 19 pikë secili, ndërsa Xhejms Harden nuk shkoi më shumë se 18 pikë. Për Pelikanët spikati Entoni Davis, me 32 pikë, i ndjekur nga Mirotiç me vetëm dy pikë më pak. Po në Perëndim, San Antonio Spërs fituan me vështirësi, 112-108 ndaj Minesota Timbervulvs, me DeRozan që realizoi 28 pikë, dha 4 pasime për kosh dhe fitoi po 4 topa në tabelë.
Ka ardhur një humbje e papritur e Los Anxheles Klipërs në “Stejpëlls Sentër” nga Denver Nagets 98-107, me dyshen Jokiç-Harris, që shënuan përkatësisht 21 dhe 20 pikë secili dhe frymëzuan ekipin mik. Finiks Sans ishin të papërmbajtshëm ndaj Dallas Maveriks, duke triumfuar 121-100, në një ndeshje ku shkëlqeu për vendasit Bukeri, me 35 pikë, 7 pasim për kosh dhe 4 topa të fituar në tabelë.
Sakramento Kings u dorëzuan 117-123 përballë Jutah Xhezit. Ndërkaq, në Lindje, bie në sy humbja e finalistëve të sezonit të kaluar, Klivlend Kavalirs, 116-104 në parketin e Toronto Raptors. Pa LëBron Xhejmsin, tashmë pjesë e Los Anxheles Lejkërs, tek miqtë më i miri ishte Kevin Lov, me vetëm 21 pikë. Louri dhe Leanord, përkatësisht me 27 dhe 24 pikë, udhëhoqën skuadrën kanadeze drejt suksesit të parë sezonal.
Në takimet e tjera të konferencës së Lindjes u arritën rezultatet e mëposhtme:
Sharlotë Hornets-Miluoki Baks 112-113, Detroit Pistons-Bruklin Nets 103-100, Indiana Pejsërs-Memfis Grizllis 111-83, Orlando Mexhik-Majemi Hit 104-101 dhe Nju Jork Niks-Atlanta Houks 126-107.