Gjergj Vyshka 24.01.2016 22:10
“Vihet re pjesëmarrja e një grupmoshe të re në këtë seminar për trajnerë e gjyqtarë, – ka deklaruar shefi i departamentit të gjyqtarëve në Federatën Evropiane të Basketbollit, – Davorin Nakiç. – Është e rëndësishme që gjyqtarët e kualifikuar të mësojnë të tjerët, sepse, të gjithë së bashku, lundrojmë në të njëjtën “varkë” për të mirën e basketbollit. Nëpër kampe përgatitore pjesëmarrja e gjyqtarëve duhet të jetë më e shumtë, sepse ato janë për të gjithë.”
“Dita e parë e seminarit ka qenë intensive, – ka vijuar kroati. – Analizat me video, apo detyrat praktike kanë qenë të vlefshme, ndërsa rezultati duket i mirë. Duhet të kontribuojnë të gjithë për një bashkëpunim më të mirë mes gjyqtarëve dhe trajnerëve. Të jeni të bindur se Federata Evropiane e Basketbollit, por dhe Departamenti i gjyqtarëve do të ndihmojë me të tjera klinika të ngjashme në Shqipëri. Takimet duhet të jenë më intensive mes gjyqtarëve ndërkombëtar dhe gjyqtarëve, për të mirën e kampionatit shqiptar.”
“Sepse ata duhet të shpjegojnë eksperiencat e tyre”, – ka përfunduar zyrtari i organizmit që qeveris basketbollin kontinental, Davorin Nakiç, i cili ka vlerësuar dhe botimin e Rregullores Zyrtare të Basketbollit, që u përgatit nga një ish-gjyqtar dhe vëzhgues ndërkombëtar si Jorgji Shundi. Një rregullore e cila ka përthithur të gjitha të rejat që lidhen me basketbollin aktual. “E theksoj dhe një herë, është shumë e rëndësishme marrëdhënia trajner-gjyqtar, – ka thënë ai. Ndaj dhe këmbëngul në të”.