Gjergj Vyshka 15.02.2016 07:55
Moshat vijojnë në parket, por ka dhe ndërprerje të garës. Tek Nën-16-vjeçarët, thënë ndryshe paratërinjtë, nuk është luajtur në grupin C të djemve, si dhe tek vajzat, kur për moshat deri në 18 vjeç të rejat janë pushim dy javë. Dominojnë Sonia, Kamza Basket, Apolonia, Superiori dhe Tirana.
Kështu, basketbolli shqiptar ka vijuar me kampionatin e moshave, ndërsa është luajtur java e tretë tek paratërinjtë, kjo në grupin A dhe B, sikurse dhe java e tetë tek të rinjtë. Kanë qenë pushim djemtë për moshën deri në 16 vjeç në grupin C dhe vajzat, por kështu do të jenë për dy javë dhe të rejat.
Ajo që bie në sy është se vijon të dominojë Sonia Basket, Kamza Basket dhe Apolonia tek paratërinjtë, të cilët kryesojnë pas tre javësh me 6 pikë të plota. Tek të rinjtë, duket sikur Superiori nuk njeh kundërshtar, ndërsa pas tetë javësh kryeson me pikë të plota në grupin A të moshës deri në 18 vjeç.
Ndërkohë në grupin B Tirana nuk njeh kufij, ndërsa ka thelluar diferencën me Virtus Tirana, që dje ka qenë pushim. Kësisoj basketbolli i moshave vijon normalisht garën kombëtare dhe ndeshje deri diku me nivel…