Gjergj Vyshka 04.06.2017 10:05
Kombëtarja e basketbollit të djemve për Nën-18-vjeçarët, e cila drejtohet nga Mired Jani, tashmë ka nisur përzgjedhjen e tij të 5-të në prag të pjesëmarrjes në Divizionin B të Kampionatit Evropian. Në Talin të Estonisë, nga data 28 korrik, deri më 4 gusht 2017, Shqipëria do të jetë përballë Britanisë së Madhe, Suedisë, Holandës, Luksemburgut dhe Republikës Çeke.
E nëse deri në 4 përzgjedhjet e para, që janë zhvilluar më 24 dhe 25 maj dhe 27 dhe 28 maj, kanë qenë klubet ato që kanë sjellë kandidatët e tyre, këtë herë ishte Jani i cili i kishte përcaktuar kandidatët e tij. Ishin 26 basketbollistë të thirrur, ndërsa ka dhe nga jashtë sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia dhe Belgjika, por dhe nga klubet e Shqipërisë.
Dhe në këtë përzgjedhje, ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë, peshën më të madhe e mbante Superior Klima me 7 lojtarë, Tirana e Vllaznia, me nga 5 lojtarë secila dhe Apolonia me dy lojtarë. Në fakt, seanca stërvitore dje ka qenë e vështirë, sepse sallën kryesore e kishin pushtuar tifozët e shoqatës “Juventus Albania”, ndërsa ishte vendosur një ekran i madh për të parë finalen e Ligës së Kampioneve.
Dhe në fakt nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë me basketboll, që për gjëra të rëndomta, me ekipet kombëtare përfundon në sallën tre, atje ku dhe koshat janë të varur. Por gjithsesi kjo ndodh, ndërsa Shqipëria e basketbollit të djemve për Nën-18-vjeçarët vijon procesin e përzgjedhjes.