ASNN – Vetë Inspektori i Vllaznisë, Zaganjori, i cili është marrë shumë me procedurat e ardhjes së Oliver, vlerëson pozitivisht ardhjen e këtij basketbollisti në përbërje të Vllaznisë. Duke falënderuar presidentin Sokol Dibra për kontributin e dhënë në fuqizimin e skuadrës, Zaganjori është i mendimit se me ardhjen e amerikanit të katërt Vllaznia tashmë është kandidatja kryesore për fitimin e titullit “kampion”.
“Në konsultë edhe me trajnerin Bledar Gjeçaj dhe kroatin Jeronimo Sharin, vendosëm që të përforcohemi aty ku Vllaznia e shikon më të nevojshme, – ka deklaruar ai. – Bëhet fjalë për pozicionin “5”, ku, siç është parë edhe në përballjen me Tiranën në Shkodër, skuadra jonë ka vuajtur në luftën me kundërshtarin. Prandaj menduam që të marrim këtë lojtar, i cili luan pikërisht në këtë pozicion.”
“E kam ndjekur nga afër, së bashku me dy trajnerët Gjeçaj dhe kroatin Sharin, duke e bindur këtë lojtar që të vijë për të luajtur në Shkodër”, – ka shtuar zyrtari i klubit kuqeblu. Sipas tij, Oliver është një lojtar shumë i fortë, një qendër luftarak, një lojtar që mesatarisht shënon 25 pikë për çdo ndeshje dhe për këtë shpreson që edhe me uniformën e Vllaznisë të bëjë më të mirën në fushën e lojës.