Gjergj Vyshka 18.01.2016 08:35
Xhelal Kalaja nuk është më trajneri i Teutës në basketboll për meshkuj, ndërsa është larguar me dëshirën e tij nga skuadra. “Nuk më ka hequr njeri, – ka shpjeguar shkurtimisht shkodrani për “Sport Ekspres”, – sepse ka një diferencë të madhe mes të ikurit me dëshirë dhe të larguarit me vendim nga drejtuesit”.
Dhe Kalaja ka premtuar që sot të shpjegojë të gjitha arsyet pse ka marrë këtë vendim, ndërsa ishte vënë në krye të Teutës në prag të nisjes të kampionatit diku në mesin e shtatorit. Nuk është se skuadra eci keq me të, sepse edhe duke pasur elementë të tillë si Llazani, Aliaj, Gorea, Pasha, Thana, Isaku etj, durrsakët në fund të dy fazave janë renditur në vendin e katërt në renditje.
E jo vetëm kaq, por të gjithë kanë nisur ta llogarisin si një skuadër e denjë për në “play-off”. E vërteta është se mund të ketë rënduar humbja në Kamëz për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Por në përgjithësi, të paktën deri në fund të dhjetorit, nuk duket se ka qenë e atillë situata sa për të marrë vendimin Kalaja për t’u larguar nga ekipi.