AlbanianSport.com 09/07/2019 20:15
ASNN – Edhe pse sezonin e kaluar, Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk kaloi momente të mira, në këtë prag të sezonit të ri të basketbollit shqiptar, kuqeblutë vijnë me lajme shumë të mira. Përpos një riorganizimi total të skuadrës, fillimisht me marrjen e trajnerit bullgar, Nikolai Gospodinov, dhe disa basketbollistëve të huaj, lajmi më interesant që del nga kampi kuqeblu është mundësia e pjesëmarrjes së Vllanzisë në Ligen Ballkanike.
Këtë e ka pohuar për RTSH Sport vetë Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Basketbollit “Vllaznia”, Blendi Dibra. Më tej, sekretari Dibra sqaron edhe formulën e mundësisë së pjesëmarrjes së Vllaznisë në këtë veprimtari të rëndësishme rajonale, ku më së shumti kërkohet garancia financiare, të cilën, sipas zyrtarit shkodran, kuqeblutë e kanë të shëndoshë.
Sipas Dibrës, për pjesëmarrjen e Vllaznisë në Ligën Ballkanike është në dijeni edhe vete Federata Shqiptare e Basketbollit, ndërkohë që priten të vijnë edhe zyrtarë të lartë të kësaj lige. Pjesëmarrja në një veprimtari të tillë të rëndësishme ndërkombëtare si Liga Ballkanike kërkon një skuadër sa më të fortë, dhe për këtë sekretari Dibra bën të ditur se stafi po punon për plotësimin e skuadrës me elementin e duhur sa më cilësor.
Duke e marrë të mirëqenë pjesëmarrjen e Vllaznisë në Ligen Ballkanike të koshit për meshkuj, drejtuesit kuqeblu bëjnë të ditur se sipas kalendarit, ndeshja zyrtare e turit të parë pritet të nisin me datë 15 tetor 2019.