Gjergj Vyshka 14.01.2015 11:55
Kampionët e Shqipërisë në basketboll do të luajnë ndeshjen e tyre të gjashtë në këtë Ligë. Sot përballë malazezëve të Mornar Tivarit, kuqeblutë e Gjeçajt me katër mungesa. Vllaznia në basketboll për meshkuj sot do të luajë ndeshjen e 6-të në Ligën Ballkanike, teksa në ora 18:30 do të jetë në Tivar përballë skuadrës vendëse, Mornarin. E vërteta është se Vllaznia e Bledar Gjeçajt ndeshet me një gjendje më të vështirë se sa ka pasur në të gjitha ndeshjet që ka luajtur deri më tani në Shkodër.
Sepse për kuqeblutë do të jenë katër mungesa të rëndësishme, tre prej të cilëve janë lojtarët e huaj, të cilët kanë mbajtur dhe peshën kryesore në formacion në këtë sezon. Bëhet fjalë për sllovenin Mirza Saralija, si dhe dy malazezët Nemanja Gavraniç dhe Milosh Pajoviç. Por gjithashtu nuk do të jetë as organizatori Eni Llazani. Dhe e gjithë kjo situatë duket se ka krijuar vështirësi të madhe tek kuqeblutë, të cilët kanë hasur vështirësi në përballjet ndërkombëtare.
Deri më tani janë mundur dy herë nga prishtinasit e Sigalit, 59-85 dhe 78-88. Janë mundur nga rumunët e Krajovës, me të cilën do të luajnë në fushë të huaj, më 20 janar, 72-75. E po kështu janë mundur nga maqedonasit e Kozuvit, 52-88, me të cilën më 28 janar po në fushë të huaj do të mbyllin dhe pjesëmarrjen e tyre në Ligën Ballkanike. Dhe ajo që “djeg” akoma tek shkodranët është fakti i humbjes në “tavolinë” me malazezët e Mornarit, me të cilën do të ndeshen sonte, sepse nuk funksiononte tabela elektronike.
Për rrjedhojë, me katër mungesa, Vllaznia duket se do ta ketë të vështirë. Edhe duke u nisur nga afërsia mes Shkodrës dhe Tivarit, e cila është në një gjatësi prej 47 kilometrash, që do të thotë rreth një orë me autobus, kuqeblutë do të nisen sot në mëngjes. Vllaznia i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dje, por duket se mungesa e tre të huajve dhe Llazanit ka prishur planet e trajnerit Gjeçaj. Sakaq ndeshja do të gjykohet nga boshnjakët Dragan Kralj dhe Ivan Miliçeviç, si dhe maqedonasi Zoran Mitrovski.
Kurse vëzhgues i ndeshjes do të jetë maqedonasi Dejan Lekiç. Përfundimisht ajo që pritet të ndodh sot në Tivar duket se nuk do të jetë një fat më i mirë për Vllazninë në basketboll për meshkuj se sa ka ndodhur në ndeshjet e mëparshme, sidomos ato të luajtura në Shkodër, në Ligën Ballkanike.