Mes një atmosferë shumë entuziaste, e cila ka pasur interesimin e madh të tifozerisë shkodrane, mes të cilëve spikat si zakonisht grupi “Vllaznit Ultras”, por në të njëjtën kohë edhe të një grupi të ardhur nga kryeqyteti, ka ardhur vërshëllima e ndërkombëtarit Ervin Koçi, që ka sinjalizuar fillimin e gjysmëfinales së dytë të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.
Një fillimi i shpejtë dhe me emocione për skuadrën e Gjeçajt dhe sidomos për tifozërinë, që me 6 pikët e para të kryesimit, shënuar nga malazezi Xhokoviç dhe shtatlarti Arra, të duket se do të jenë lider të kësaj finaleje të parakohshme. Kjo bindje u krijua më shumë kur epërsia vijoi të jetë në fuqi me shifrat 14-8 për Vllazninë. Por gjërat në vijim për Tiranën nisën të ndryshonin.
Pikët e Janit dhe, më pas, edhe të Voglit, jo vetëm që barazojnë, por kalojnë miqtë në epërsi, duke e mbyllur pjesën e parë 23-25 në favor të tyre. Shkodrani Bledar Gjeçaj bën të njëjtën gjë në pjesën e dytë ku në sajë të freskimit të formacionit e drejton skuadrën drejt fitores së pjesës së dytë 19-14 dhe në pushim Vllaznia është në epërsi me shifrat 42-39.
Vllaznia ka fituar edhe pjesën e tretë 16-12 dhe ka thelluar në 58-51. Dhe atëherë kur dukej se po shkonte drejt një fitoreje të sigurt, Vllaznia bëhet konfuze, apatike dhe aspak profesionale. Kaq ka mjaftuar që Tirana të fitojë këtë pjesë loje me shifrat e pabesueshme 5-20 dhe në përfundim rezultatin final ka qenë 63-71 për bardheblutë në mënyrë surprizë.
Një humbje që i ka bërë të gjithë të ndjehen keq, sidomos tifozët, por që ka pasur brenda euforinë dhe mbivlerësimin ndaj Tiranës. Aq sa duket se edhe nga përforcimet e bëra në merkaton e dimrit e kanë bërë para kohe të fituar Kupën e Shqipërisë. Dhe pa shumë zhurmë e bujë, drejtuar nga kapiteni Lasku, Tirana është në finalen e Kupës së Shqipërisë me Kamza Basket.
Vllaznia – Tirana 63-71
(23-25, 19-14, 16-12, 5-20)
Vllaznia: Bërdica, Faslia, Xhokoviç, Arra, Alen / Ndoja, Gjoni, Bekteshi, Taraboshi, Dod. Lekndreaj. Trajner: B. Gjeçaj
Tirana: Lasku, Sukaj, Hasani, Vaqarri, Vogli / Jani, Huqi, Hysa, Mara. Trajner: R. Avrami
Gjyqtarë: E. Koçi, E. Allaraj, G. Hoxha (Tiranë)