Gjergj Vyshka 28.10.2014 07:55
Vllaznia nis sot zyrtarisht përpara publikut të vet aventurën ballkanike. Pasi është mundur dy javë më parë nga SIGAL Prishtina, në fushën e kësaj të fundit, 59-85, Vllaznia sot në ora 18:00 do të presë malazezët e Mornar Tivarit. Shkodranët, të paktën siç dhe konfirmohet nga burime pranë skuadrës, kalojnë një gjen dje të mirë, teksa nuk kanë as dëmtime dhe as mungesa. Në kampionat, në dy ndeshjet e para të luajtura me Apoloninë në Shkodër dhe me Flamurtarin në Vlorë, kuqeblutë e Bledar Gjeçajt gjithçka e kanë kaluar me sukses.
Kanë fituar ndaj fierakëve të Darian Adhamidhit 81-57, si dhe me kuqezinjtë e Vladimir Birçaj, 67-81. Ndërkohë tashmë është zgjidhur përfundimisht dhe çështja e parketit të dëmtuar të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, ndërsa firma, e cila ka bërë rikonstruksionin e sallës sipas parametrave të kërkuar nga Federata Ballkanike e Basketbollit, ka bërë dhe ndërhyrjet e fundit e tashmë gjithçka është gati. Sakaq interesimi i tifozerisë shkodrane është i madh, ndërsa pritet të jetë një Pallat Sporti i mbushur plot dhe që kërkon fitoren e Vllaznisë.
Madje dhe shefi i klubit të shumësporteve të Vllaznisë, Mark Krroqi, ka deklaruar se pritet një fitore e shkodranëve për të kthyer ndjesinë e sukeseve ndërkombëtare për kuqeblutë. Ndeshja mes Vllaznisë dhe malazezvë të Mornar Tivarit, që do të luhet sot në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, do të gjykohet nga dy gjyqtarë grek dhe një bullgar, të tre me stemën e FIBA-s. Bëhet fjalë për Nikolaos Somos, Georgios Pursanidis dhe Martin Horozov. Madje të tre këta gjyqtarë, një ditë më vonë do të gjykojnë në “Karagaçi” të Pejës ndeshjen e skuadrës vendëse me malazezët e Teodos, ndërsa do të kenë vëzhgues maqedonasin Gjorgi Piperkov.