Nga Gjergj Vyshka 26.11.2014 16:10
Vllaznia është shkërmoqur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, teksa është mundur me 36 pikë diferencë nga maqedonasit e Kozuvit në ndeshjen e katërt të Ligës Ballkanike. Ka qenë ndeshja e tretë përpara publikut shkodran, ndërsa të fundit do ta luajnë me prishtinasit e Sigal-it më 9 dhjetor.
Por ajo që duhet pranuar, jo vetëm për shkak të kësaj humbjeje, që duket se është një “dajak” model i maqedonasve ndaj kampionëve tanë në basketbollin për meshkuj, është se fakti Vllaznia e ka krejtësisht të pamundur ta përballojë nivelin ndërkombëtar të Ligës Ballkanike.
Është skuadër absolute në vendin tonë, por niveli i kampionatit shqiptar është i atillë që asnjëherë nuk e bën gati Vllazninë të përballet ndërkombëtarisht. Madje dhe pse ka bërë blerje, teksa janë tre lojtarë që vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në formacionin e Bledar Gjeçajt, ajo që paraqitet në fushë është krejtësisht në të kundërt të asaj që pret publiku i zjarrtë shkodran, apo dhe ato që kanë shfaqur objektiva drejtuesit kuqeblu.
E gjithë ajo që përmblidhet në këtë pjesëmarrje të kampionëve të Shqipërisë në basketboll për meshkuj, ndonëse Vllaznia ka dhe katër ndeshje, një në fushën e vet dhe tre në transfertë, është se fundi i tabelës në grupin B është i “stampuar”. Sepse në tërësinë e vet ky është niveli i basketbollit shqiptar të meshkujve dhe, në një farë mënyre, nuk është vetëm faji i Vllaznisë dhe i drejtuesve të saj…