AlbanianSport.com 31/01/2019 19:00
ASNN – Cvetinoviç, i 5-ti i huaj tek shkodranët, kuqeblutë, gati për gjysmën e dytë të sezonit. Vllaznia e ka mbyllur gjysmën e parë të këtij sezoni të Superligës së Basketbollit për Meshkuj në fundin e renditjes, por, me ardhjen e presidentit të ri, Alban Xhaferri, gjërat po ndryshojnë dhe, sipas drejtorit sportiv, Altin Halili, gjysma e dytë do të jetë krejt ndryshe, duke patur parasysh edhe merkaton e janarit.
Ndërkohë, shkodranët kanë prezantuar së fundmi edhe ardhjen më të re të, serbin shtatlartë 2 m e 15 cm të lartë, Pavle Cvetinoviç. Ai u shtohet 4 të huajve të tjerë, Malik Karter, Xhejvis Hauard, Kristian Bredford dhe Leo Xhohn Svete. “Para se të vija tek Vllaznia kam luajtur me disa ekipe të huaja si në Serbi, Maqedoni, Slloveni, edhe në Kinë dhe Bahrejn në Premier Ligë”, – ka theksuar basketbollisti serb.
“Ekipi është i mirë, qyteti dhe trajneri gjithashtu, – vijoi ai. – Çdo gjë është në rregull. Jam gati për të dhënë më të mirën për ekipin e Vllaznisë. Edhe trajneri është i mirë dhe nxjerr maksimumin tonë.” Në kontaktet e para me skuadrën, Cvetinoviçi ka krijuar një përshtypje pozitive, duke vlerësuar edhe për kontigjentin që kuqeblutë kanë në dispozicion, gjë që e bën optimist që Vllaznia të ketë një ecuri pozitive.
“Ekipi ka lojtarë të mirë vendas, si dhe të huaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe trajneri është shumë i mirë duke marrë më të mirën prej secilit prej nesh. Unë mendoj se ekipi ka shumë shanse për t’u futur në fazën e “play-off”-it këtë vit”, – shtoi Cvetinoviçi. Në fund, duke folur edhe ndeshjen e parë të kuqebluve që do të kenë përballë Goga Basket, ai ka shprehur bindjen për fitore, si dhe fton tifozët të jenë të pranishëm në pallatin e sportit për të mbështetur skuadrën.