Mes malazezit dhe presidentit të kuqebluve, Sokol Dibra, është arritur marrëveshja, ndërsa pritet që pjesë e ekipit të jenë dhe slloveni Saralija dhe amerikani Hog. Shkodranët kërkojnë rikonfirmimin si “kampion”. Përtej fitores së mbrëmshme me Flamurtarin, që e mban skuadrën kuqeblu sërishmi në krye të tabelës së renditjesme pikë të barabarta me rivalet e saj, Kamza Basket e Tirana, ajo çka vlen të theksohet është fakti se presidenca e Vllaznisë ka filluar të lëvizë nga vendi.
Pas një bisede të gjatë, që presidenti Sokol Dibra dhe inspektori i lojërave me dorë në klubin “Vllaznia”, Astrit Zaganjori, bënë mesditën e së shtunës me malazezin Nikolla Gjokoviç, e binden atë që të firmosë për kuqeblutë. Procedurë kjo që u krye në orët e pasdites po të djeshme. Gjokoviçi është një nga basketbollistët kryesorë që kontribuoi në fitimin e titullit kampion sezonin e kaluar dhe pëlqehet jashtë mase nga tifozeria shkodrane për vetë shpirtin e garës që prezanton në fushën e lojës.
Lajmi në fjalë, por edhe prania e tij në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” gjatë ndeshjes së mbrëmshme, Vllaznia-Flamurtari, ka entuziazmuar pa masë publikun shkodran që duke lënë mënjanë emocionet e ndeshjes ka nisur të duatrokasë dhe të thërrasë në kor emrin e Gjokoviçit. Inspektori Zaganjori, në një prononcim për “Sport Ekspres”, bën të ditur se Gjokoviç do të jetë në formacionin e parë të Vllaznisë të premten e ardhshme kur kuqeblutë do të luajnë në fushë të huaj ndaj Kamza Basketit.
Ai bën të ditur se edhe slloveni Mirza Sarajlia dhe amerikani Brandon Hog pritet të vishen kuqeblu.