Gjergj Vyshka 07.10.2016 11:35
Ditët e fundit deri në nisje të sezonit të ri të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, që ngre zyrtarisht siparin më 14 tetor 2016, po shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme nga skuadrat shqiptare. Kështu, pasditen e së mërkurës, Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka zhvilluar një tjetër ndeshje miqësore dhe përsëri ndaj një ekipi kosovar. Këtë herë përballë shkodranëve ka qenë ekipi Ylli i Suharekës.
Për trajnerin Gjeçaj kjo miqësore në fakt zhvillohej në një kohë disi të papërshtatshme ngaqë nuk do të kishte në dispozicion tre prej titullarëve të tij dhe pikërisht Faslijën, Ndojën dhe Arrën. Me këto mungesa, duke luajtur përballë një ekipi në radhët e të cilit ishin edhe dy basketbollistë amerikanë dhe një boshnjak, kuptohet që do ishte e vështirë. Megjithatë takimi i zhvilluar në “Qazim Dervishi” tregoi tjetër gjë.
Ai është shoqëruar nga një rivalitet i fortë deri në fund dhe këtë e tregon më së miri fakti se koha e rregullt e ndeshjes është mbyllur në barazim 78-78. Kjo bëri që të luheshin 5 minutat e shtesës për të përcaktuar fituesin. Në këtë shtesë, kosovarët janë treguar më të saktë duke shënuar katër trepikësha radhazi dhe në fund, Suhareka ka arritur ta fitojë gjithë ndeshjen me rezultatin 94-82.