ASNN – Pas dështimit me malazezin Mihoviç, Jeronimo Sarin, është kandidati kryesor për të drejtuar kuqeblutë e basketbollit së bashku me Gjeçaj. Kuqeblutë e koshit i kanë vënë vetes detyrë për të fituar titullin “kampion” edhe në këtë edicion, në mënyrë që trofetë e basketbollit të meshkujve të shkojnë në 10. E nëse ndodh kështu në uniformat e ardhshme të Vllaznisë drejtuesit kanë paralajmëruar vendosjen e yllit siç e do edhe tradita në raste të tilla.
Por për të shkuar tek titulli i radhës, që në fakt është një rikonfirmim i atij të sezonit të kaluar, shkodranëve u duhet të djersinë jo pak në këtë drejtim. Themi kështu, sepse realisht kundërshtarët e tyre, sidomos Tirana, por edhe Teuta, kanë lëvizur shumë në këtë kampionat. E kjo jo vetëm krahas elementëve cilësor që kanë në skuadër, por dhe me trajnerët e huaj që janë në krye të këtyre ekipeve. Në këto kushte ka qenë kërkesa e vetë trajnerit Gjeçaj, me qëllimin e mirë që stafi të jetë sa më i plotë.
Dhe sidomos me një përvojë dhe cilësi ndërkombëtare, e prandaj presidenca kuqeblu po punon të përforcojë stafin teknik të Vllaznisë. Kuptohet me një përvojë nga jashtë për të fituar luftën e titullit me rivalët e fortë të Tiranës dhe Teutës. Një gjë të tillë e bën publike për “Sport Ekspres” ish-basketbollisti shkodran, Astrit Zaganjori, i cili në cilësinë e inspektorit të lojërave me dorë në Klubin Shumësportësh Vllaznia është personi që i qëndron shumë pranë skuadrës së Gjeçajt.
Sipas tij në një takim pune që presidenti i kuqebluve Sokol Dibra ka pasur me sponsorin kryesor të shoqatës së basketbollit Vllaznia, Petrit Maho, është rënë dakord që të investohet pa kursim në këtë drejtim.