Gjergj Vyshka 29.10.2014 12:30
Sfida e dytë në grup për ekipin shkodran dhe e para në fushën e saj u mbyll me rezultatin 20-0 në “tavolinë” për ekipin malazez. Kështu ka lajmëruar faqja në internet e Ligës Ballkanike të basketbollit. E thënë ndryshe, ajo që ka ndodhur dje në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër ka qenë një skandal më vete. Sepse ndeshja e Ligës Ballkanike në basketboll mes Vllaznisë dhe Mornar të Tivarit nuk u luajt për shkak të një problemi në tabelën elektronike.
Sfida e dytë në grup për ekipin shkodran dhe e para në fushën e saj u mbyll me rezultatin 20-0 në tavolinë për ekipin malazez për shkak të mosfunksionimit të tabelës elektronike të rezultatit por dhe asaj të kohës, duke bërë të pamundur mbajtjen e pikëve të sfidës. E mbi të gjitha nuk bëri të mundur dhe zhvillimin normal të lojës. Një ngjarje aspak e hijshme për Shkodrën, aq më tepër që Pallati i Sportit ziente nga tifozët e shumtë, që kishin mbushur shkallët e tij për të parë rikthimin e Vllaznisë në Ligën Ballkanike pas një mungese 10 vjeçare.
Treshja e gjyqtarëve madje theu dhe rregulloren duke mos e dhënë rezultatin në “tavolinë” për malazezët pas vetëm 20 minutash lojë, por duke pritur dhe një orë më tepër me shpresën se tabela elektronike do të rregullohej. Gjë që në fakt nuk ndodhi dhe skuadra malazeze e Mornarit e fitoi ndeshjen në “tavolinë”, 20-0. Arsyeja kryesore e këtij defekti mendohej se ishte një problem i furnizimit të tabelës elektronike me rrymë elektrike, pasi disa herë u vu re që tabela punonte për disa sekonda dhe ndalej sërish më pas.
Organizatorët madje provuan dhe të luanin sipas metodës së vjetër, duke mbajtur pikët në mënyrë manuale, por gjyqtarët Solos, Poursanidis dhe Horozov vendosën të jepnin fitoren për ekipin malazez sipas rregullores. Një keqardhje për një qytet, që priste të shijonte një pasdite basketbolli, por që në fund nuk pa të gjuhej as dhe top i vetëm drejt koshit. Lojtarët e të dy palëve kanë bërë përshëndetjet e fundit dhe publiku ka ikur i zhgënjyer, kurse Vllaznia ka marrë një humbje të pamerituar për shkak të keq organizimit të ndeshjes.
Ndërkohë që pritet që pas humbjes në “tavolinë” të ketë dhe masa ndëshkuese me gjoba nga Liga Ballkanike, sepse duket që është ndër rastet e rralla që ndeshja të pengohet nga mosfunksionimi i tabelave elektronike. Me rastin e ndeshjes së basketbollit të meshkujve mes Vllaznisë e malazezëve të Mornar Tivarit, që dje në mbrëmje është luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër, drejtuesit e Ligës Ballkanike kanë ardhur në Tiranë.
Të paktën edhe sipas informacionit që ka shpërndarë Federata Shqiptare e Basketbollit në faqen e saj në “Facebook”, drejtuesit e Ligës Ballkanike janë takuar me presidentin Avni Ponari dhe më pas kanë qenë për ndeshjen Vllaznia-Mornar Tivar në Pallatin e rikonstruktuar të Shkodrës.