Gjergj Vyshka 02.12.2016 12:05
Nikola Milatoviç, malazezi i stolit bardheblu, duket se ka qenë fatsjellës teksa ka ardhur në krye të kësaj skuadre duke zëvendësuar maqedonasin Sllobodan Petrovski. Numërohen 5 ndeshje të luajtura të Tiranës me në krye malazezin dhe 5 fitore radhazi. Gjithçka nis në fitoren e bujshme në Ligën Ballkanike në Mitrovicë ndaj Trepçës, 74-68. Më pas në kampionat me Vllazninë, 84-66. Në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë sërish ndaj Vllaznisë, 85-69 dhe në finalën e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës, 89-73. E së fundmi ndaj Pejës me një përmbysje të madhe 76-73.
Duket se po bëhet arkitekti i një Tirane të madhe jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan e në Evropë. E përtej këtyre gjërave, me shumë modesti, dje ka kërkuar që gjithçka të bëhet hap pas hapi. “Sigurisht që fitorja ndaj Pejës është shumë e rëndësishme, – ka thënë ai, duke folur pas ndeshjes. – Unë jam shumë i kënaqur që lojtarët ndoqën me përpikëri udhëzimet e mia në fazën mbrojtëse dhe sulmuese në dy periodat e dytë. Sepse për hir të së vërtetës duhet të pranojmë që në dy pjesët e para nuk kemi qenë vetvetja dhe kemi bërë shumë gabime në të gjitha planet.”
“Besuam dhe në fund ia dolëm ndaj Pejës dhe nuk ishte e lehtë, – ka vijuar malazezi. – Sa për kalimin në turin e dytë të Ligës Ballkanike më duhet të them që gjithçka duhet marrë hap pas hapi. Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe unë jam i kënaqur që lojtarët më ndoqën me përpikmëri, sepse në fund të fundit fitorja është e tyrja”. Ndërkohë pyetjes së “Sport Ekspres” se kjo Tiranë a ka kundërshtar në kampionat me gjithë këtë formë të mirë që po gëzon, Milatoviçi do t’i përgjigjej: “Problemi është se nuk ka skuadra të pathyeshme.”
“Mos harroni që në harkun kohor të gati një jave skuadra ka luajtur 5 ndeshje, – ka vijuar trajneri i bardhebluve të koshit. – Domethënë në fushën e lojës një herë në dy ditë. Dhe ky është konsum. Për më tepër që të shtunën do të jemi në kampionat e më pas ndaj MKK Feni Industries. Megjithatë gjithçka hap pas hapi, sepse ne jemi duke menduar dhe ideuar një Tiranë të madhe e denjë për të marrë pjesë dhe në Kupat e Evropës, Ligën e Kampioneve, apo në “FIBA Europe Cup”. Sidoqoftë, e them dhe një herë, jam i kënaqur që më ndoqën dhe fituam të gjithë së bashku ndaj Pejës.”