Gjergj Vyshka 28.10.2014 13:25
Kuqeblutë luajnë sot në ora 18:00 ndeshjen e tyre të dytë me malazezët e Mornarit. Gjeçaj: “Shpresojmë që me mbështetjen e tifozerisë së zjarrtë shkodrane t’ia dalim mbanë”. Në një deklaratë për të gjitha mediat sportive në prag të ndeshjes me malazezët, trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, do të deklaronte: “Unë e kam ndjekur nga afër ndeshjen që malazezët e Mornarit kanë luajtur me kampionët e Kosovës, SIGAL Prishtinës, të cilën e kanë humbur me shtatë pikë diferencë, 80-87”.
“Mornari vërtetë humbi me 7 pikë ndaj SIGAL-it, por të them të drejtën kam konstatuar se kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë, – ka vijuar kreu i pankinës së shkodranëve të koshit. – Në radhët e tij, Mornari kishte dy basketbollistë amerikanë, ku sidomos qendra kishte një kërcyeshmëri shumë të madhe, çka do të jetë një problem për lojtarët tanë në luftën poshtë tabelës. Megjithatë ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë.”
“Duke pasur edhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë, besoj se do ta vëmë në vështirësi këtë kundërshtar dhe marrja e fitores mendoj se do ishte një lajm shumë i mirë për të gjithë basketbollin shqiptar. Kuptohet që diferencat në buxhet mes dy ekipeve janë të mëdha dhe kjo mund të reflektohet edhe në fushën e lojës, por gjithsesi ne do të bëjmë punën tonë. Në radhë të parë për të kënaqur tifozët. Nëse do arrihet fitorja, do ishte një sukses i madh”, – ka përfunduar Gjeçaj, kurse Vllaznia tashmë është gati për sfidën me malezezët e Mornarit të Tivarit.