Gjergj Vyshka 10.11.2016 18:35
Tirana e basketbollit të meshkujve në Ligën Ballkanike, të paktën në ndeshjen e mbrëmshme në Shkup, është bërë si ajo “lopa që e mbush plot kovën me qumësht” dhe më pas “i bie po vetë me shkelm”. Bardheblutë ka qenë mbrëmë tërësisht e gjymtuar, sepse nuk kanë pasur të gatshëm as Laskun, as Voglin e as malazezin Gavraniç, të 3 të dëmtuar. Për rrjedhojë e gjithë ndeshja është përballuar me 7 lojtarë, atje ku pesha kryesore ka qenë tek Hysenagolli e Shima.
Takimi nuk është se ka nisur mirë, ndërsa disavantazhi më i ngushtë ka qenë 6-4. E më pas vjen shpërthimi i maqedonasve, që pjesën e parë e kanë fituar 33-19. Karpos Sokoli arrin të shkëputet deri në 20 pikë diferencë, 43-23. Dhe Tirana, me një epërsi të pjesshme 0-8, arrin të afrohet në 43-31. Pikë më pikë, pjesa e dytë mbyllet 15-14, dhe maqedonasit kryesojnë 48-33. Pas kthimit në parket, Tirana ka hyrë në lojën e saj më të mirë.
Shima e Hysenagolli, por dhe Rame bëhen frymëzuesit e një përmbysjeje të madhe. Pas disavantazhit 54-41, Shima dhe Rame e Tirana afrohet deri në 9 pikë diferencë, 54-45. Dhe, dy minuta përpara përfundimit të pjesës së tretë, me një epërsi të pjesshme 2-12, Tirana është një pikë përpara, 56-57. Fundi është 60-59 për maqedonasit. Pjesa e katërt është më e ethshme, sepse luhet për çdo pikë. Aq sa Tirana ka qenë shumë pranë fitores, teksa ka kryesuar 73-74.
Por nuk mjafton. Ndoshta duhet dhe më shumë përvojë për të administruar të tilla situata, ndërsa Karpos Sokoli shënon 5 pikë e bardheblutë asnjë. E në fund humbja e tretë, me vetëm katër pikë diferencë, 78-74. Tirana rikthehet në Ligën Ballkanike pas dy javësh me vizitën në Mitrovicë ndaj Trepçës.
Karpos Sokoli 2000 – Tirana 78-74
(33-19, 15-14, 12-26, 18-15)
Karpos Sokoli 2000: Perri (15), Zekoviç (14), Laboviç (12), Sapundijev (3), Vrbanc (12) / Sokolov (6), Penov (3), Bakosh (7), Riçards (6), Jakimovski. Trajner: D. Nikoliç
Tirana: Xhonson (2), Shima (23), Rame (16), Karaj (6), Hysenagolli (17) / L. Petrovski (7), Gjyzeli (3). Trajner: S. Petrovski
Gjyqtarë: M. Tomov, I. Manolov (Bullgari), L. Bukuresti (Rumani)
Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj
Grupi B
Java e 4-t
(8-9 nëntor 2016)
Sutjeska – MKK Feni Industriers 79-71
Karpos Sokoli – Tirana 78-74
Trepça Mitrovicë – Peja 11 janar 2017
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- MKK Feni Industries 4 2 2 314-272 6
- Sutjeska Nikshiq 3 3 0 250-192 6
- Tirana 4 1 3 270-319 5
- Trepça Mitrovicë 3 1 2 202-230 4
- Karpos Sokoli 3 1 2 218-260 4
- Peja 1 1 0 82-73 2