Gjergj Vyshka 27.10.2016 10:40
Në fakt ka qenë një ndeshje interesante mes Tirana Eagles Basket dhe Skënderbeut, sepse korçarët kanë luajtur me pesëshen e tyre më të mirë. Bëhet fjalë për Thanas, Simaku, Habip, Topi e Duci, të cilët luajnë me njëri-tjetrin prej vitesh. Dhe si të tillë janë të aftë të bëjnë dëm.
Pas një pjese të parë të fituar nga Tirana Eagles Basket 22-17, Skënderbeu reagon duke pasur një pikë kyçe si Habip, që ishte dhe shënuesi më i mirë i ndeshjes me 23 pikë, arrin të ngushtojë në pjesën e dytë 34-28, ndërsa ky 10-minutësh ka përfunduar për vendësit 12-11.
Korçarët shpërthejnë në trepikësha. Thanas, Duci dhe Habip, ndërsa në krahun tjetër kundërpërgjigjen Shehi, Zavalani, Nasi. E megjithatë, Skënderbeu ka barazuar në 40-40, e më pas, duke fituar pjesën e tretë 13-21, kalon në epërsi 47-49. Por Tirana Eagles Basket shkundet dhe arrin të përmbysë gjithçka në pjesën e 4-t.
Kjo pjesë ka përfunduar 19-10 dhe në total 66-59 për vendësit. Për t’u evidentuar është fakti se ndeshja ka nisur me dhjetë minuta vonesë, sepse gjyqtarët Bejko e Tafilica nuk pranonin ta nisnin pa prezencën e forcave të rendit. E ndërkohë një gabim teknik për protesta ka ardhur dhe për korçarin Topi.
Sidoqoftë, në fund Tirana Eagles Basket e ka merituar fitoren dhe, bashkë me të, edhe vendin në çerekfinale.
Tirana Eagles Basket – Skënderbeu 66-59
(22-17, 12-11, 13-21, 19-10)
Tirana Eagles Basket: Prodani (3), Musta (4), Nasi (7), Shytaj (4), Zavalani (8) / Shehi (18), Allaraj (13), Vogli, Branko (2), Adili (2), Nikolli (5). Trajner: J. Dashi
Skënderbeu: Thanas (10), Simaku (2), Habip (23), Topi (7), Duci (15) / Bala, Simak, Treska (2), Gërmenji. Trajner: I. Nika
Gjyqtarë: A. Bejko (Tiranë), B. Tafilica (Shkodër)