AlbanianSport.com 24/03/2019 07:00
ASNN – Java e 17-të e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Meshkujve, të njohur edhe si Superliga, luajti të shtunën ndeshjet e radhës, të cilat dhuruan emocione të forta dhe rivalitet të spikatur, por padyshim kryedueli u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës, ku Vllaznia priti Teutën, në një përballje dramatike dhe që u nda me një pikë, por pas kohës shtesë 5-minutëshe.
Fituan durrsakët 89-88, duke dalë nga Shkodra me dy pikë mjaft të vyera, por duke i mohuar Vllaznisë një fitore që mund të kishte qenë vendimtare për qëndrimin e saj në Superligë. Kështu, dueli i Vllaznisë dhe Teutës nisi dhe u mbyll me shumë rivalitet. 10-minutëshin e parë e fituan shkodranët me shifrat 27-24, nëpërmjet një loje të pazakontë, si në mbrojtje dhe në sulm.
Të dyja skuadrat dëshmuar veprime spektakolare në lojën në tabelë, por edhe në shpejtësinë e veprimeve tekniko-taktike. Ishte pikërisht rivaliteti i kësaj pjese që kushtëzoi deri në fund lojën e bukur dhe emocionuese të kësaj ndeshjeje. Në 10-minutëshin e dytë janë “Djemtë e detit” që fitojnë me shifrat 26-14, duke e përmbysur epërsinë e vendasve.
Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 41-50, pra me një diferencë pre 9 pikësh në favor të durrsakëve. Në 10-minutëshin e tretë Teuta ruan epërsinë e saj dhe madje fiton edhe këtë pjesë me shifrat 18-17, duke bërë që të kishte vetëbesim për fundin e takimit. 10 pikë diferencë konsideroheshin të mjaftueshme për të pretenduar fitoren e palëkundur.
Por nuk dorëzohen shtatlartët shkodranë, që fitojnë bindshëm 10-minutëshin e katërt me shifrat 26-16 dhe barazojnë shifrat 84-84. Për të përcaktuar fituesin u desh të luhej koha shtesë 5-minutëshe. Durrsakët shënojnë më shumë, 5 pikë, një më shumë se Vllaznia që realizoi 4 pikë. Ishte një fund dramatik dhe emocionues, pasi skuadrat mbroheshin me kujdes, por pa mundur të bënin diferencë në sulm.
Në fakt, Vllaznia po udhëhiqte 4-2 në shtesë dhe dukej një fitore e madhe për shkodranët që ishin në këmbë. Por kur mbeteshin dhe 5 sekonda nga mbyllja e ndeshjes, për durrsakët ndodh mrekullia. Është amerikani Kevin Braun që thuajse nga mesi i fushës realizon një trepikësh që përmbys Vllazninë dhe i jep fitoren Teutës me shifrat përfundimtare 89-88.
Tashmë, me këtë fitore, Teuta shkon në kuotën e 30 pikëve, dy më pak se Goga Basket që mban vendin e parë, kurse Vllaznia mbetet e parafundit, pra në vend të pestë, me 20 pikë, po aq sa Kamza, por me pikëaverazh më të mirë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 17-të
Të shtunën, 23 mars 2019:
Partizani – Kamza Basket 94-83
(24-27, 21-14, 32-26, 17-16)
Tirana – Goga Basket 75-98
(17-21, 21-21, 14-25, 23-31)
Vllaznia – Teuta 88-89
(27-24, 14-26, 18-19, 26-16, 4-5)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 17 15 2 32
- Teuta 17 13 4 30
- Partizani 17 9 8 26
- Tirana 17 8 9 25
- Vllaznia 17 3 14 20
- Kamza Basket 17 3 14 20